Në datën 1 Qershor 2017, pranë zyrave të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, u organizua dhe zhvillua takimi përmbyllës i projektit “EASA IPA 3 – Programme on Aviation Safety in the Western Balkans and Turkey” ku morën pjesë anëtarët e Komitetit Drejtues të këtij projekti, së bashku me koordinatorët nga autoritetet e Aviacionit Civil të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ekipi i projektit të EASA – European Aviation Safety Agency , si dhe përfaqësues të Komisionit Europian.
Në hapjen e këtij takimi, Drejtoresha Ekzekutive e AAC Znj. Lilika Radovicka-Haznedari , shprehu mirënjohjen dhe mirëseardhjen për pjesëmarrësit e pranishëm, si dhe përzgjedhjen e Shqipërisë si destinacion përmbyllës për këtë projekt të rëndësishëm, ku bën pjesë dhe Autoriteti Aviacionit Civil (AAC) Shqiptar.
Gjithashtu Znj. Radovicka, theksoi ndikimin pozitiv që projekti EASA IPA3 ka pasur tek anëtarët e stafit të AAC, të cilët përfituan nga trajnimet për nevojat dhe profilet e fushave së punës së tyre.
Që nga fillimi i këtij projekti, u angazhuan 170 ekspertë të aviacionit të cilët udhëhoqën dhe morën pjesë në trajnime, seminare si dhe ofruan mbështetje specifike për vendet pjesëmarrëse, të cilët përfituan nga asistenca e projektit.
Rezultatet nga vendet përfituese të këtij projekti ishin pozitive, të strukturuara në fushat kyçe për një sistem të mirëfunksionimit, qëndrueshmërisë dhe parrezikshmërisë së aviacionit civil.