U zhvillua në Tiranë takimi i Drejtorëve Ekzekutiv të Aviacionit Civil të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Në përfundim të takimit 2-ditor të organizuar nga Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar Krislen Keri, 4 Drejtorët Ekzekutiv dakordësuan deklaratën e përbashkët ku u zotuan për të vijuar bashkëpunimin në aspektet e sigurisë në aviacion, për të patur shkëmbime eksperiencash dhe trajnime në shërbim të zbatimit nga kompanitë të të drejtave të pasagjerit, të përmirësimit të inspektimeve të sigurisë në ajër, në forcimin e sigurisë kibernetike apo edhe adresimin e rregulloreve për pajisjet fluturuese të llojit dron.

Krislen Keri, Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Civil Shqiptar, informoi homologët e tij për objektivat e “AAC”, si dhe theksoi se është e domosdoshme që 4 drejtoritë të kooperojnë më shpesh, për të adresuar sfida të njëjta të aviacionit në secilin shtet por edhe përmirësuar akoma më shumë shërbimet.

Me Drejtorin Ekzekutiv të Kosovës, Z Dritan Gjonbalaj, u ra dakord se dy vendet duhet të punojnë ngushtësisht në fushën e sigurisë së ajrit, ku z. Keri kërkoi bashkëpunim të ngushtë për hartimin e planit kombëtar të sigurisë së ajrit (SSP).

Në bisedën me homologun e Malit të Zi Dragan Djuroviç, z. Keri kërkoi bashkëpunim për të qenë pjesë e nismës “Një ndalesë Një kontroll” (one stop security), të cilën Mali i Zi e zbaton suksesshëm. Kalimi më sukses i një sfide të tillë do eliminonte dy kontrolle, për pasagjerët që fluturojnë nga aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza.

Me drejtorin e Autoritetit Civil të Maqedonisë z. Goran Jandreovski, u ra dakort për të shkëmbyer eksperiencat dhe praktikat më të mira, në rritjen e cilësisë së inspektimeve apo pregatitjen e burimeve njerëzore për standardet e kërkuara nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), nga e cila Autoriteti Maqedonas morri çertifikatën e ekselencës në Shtator 2017.

Palët ranë dakort për zhvillimin e takimeve më të shpeshta midis tyre dhe aplikimin për projekte të përbashkëta në fushën e aviacionit civil, në instrumentat e financimit të BE.

Joint statement for regional meeting 11 January 2018