Dervishaj: Premtimi i mbajtur për pasagjerët

Është përuruar ditën e sotme, fillimi i fluturimeve për linjën e parë ajrore low cost Tiranë-Budapest.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj bashkë me Ministrin Hungarez të shtetit për Politikat e Transportit Robert Homolya, ishin në bordin e avionit të parë të linjës Budapest-Tiranë.

Duke folur për mediat, Ministri Dervishaj tha se ky është një premtim i mbajtur nga Ministria e Transportit, për të sjellë një kompani të njohur ndërkombëtare me çmime të lira për shqiptarët.

”Sikurse dhe kishim premtuar dhe së fundi edhe realizuar, ky ishte fluturimi i parë i kompanisë wizzair në Tiranë, e para kompani low cost që vjen dhe fillon fluturimet në Shqipëri. Kjo ka ardhur falë një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet hungareze, veçanërisht me Ministrinë e Zhvillimit Kombëtar, por edhe autoriteteve të aviacionit civil, arritëm në një marrëveshje për fillimin e udhëtimeve, me një linjë të ndërprerë prej shumë kohësh me Malevin.

Prej 5 vitesh nuk kishte fluturime direkte mes Shqipërisë dhe Hungarisë, por tashmë e kemi falë këtij bashkëpunimi. Sot shënohet vetëm fluturimi i parë, por me kalimin e kohës mund të ketë shtim oraresh, shtim të fluturimeve, padyshim edhe shtimin e destinacioneve, për ta kthyer Shqipërinë si një bazë të qëndrueshme të fluturimeve të wizzair, jo vetëm në linjën Tiranë-Budapest por edhe në linja të tjera.

Dua të falenderoj Qeverinë Hungareze për mbështetjen financiare me subvencionimin që i bën wizzair, për të kryer fluturimin në Tiranë por edhe në vende të tjera, sikurse është Kosova, Mali i Zi, Bosnja apo edhe Maqedonia. Kjo është një ndihmë e madhe për tju ofruar qytetarëve tanë fluturime cilësore, më të lira, dhe sa më shumë destinacione. Fluturimi i sotëm është një ogur i mirë. Është një fillim i mirë, në këtë drejtim, duke ju referuar edhe ankesave të shumta të qytetarëve shqiptarë, me të drejtë, për çmimet e larta të biletave.

Besoj se ky është një investim, një shërbim në funksion të pasagjerëve shqiptar, por padyshim në funksion edhe të imazhit të vendit. Sa më shumë kompani të fluturojnë në Shqipëri, aq më shumë rritet dhe promovohet imazhi i vendit. Ata që do të na gjykojmë me tepër do të jenë qytetarët dhe pasagjerët shqiptar, por edhe pasagjerët e tjerë që do të udhëtojnë nëpërmjet kësaj linje”.
Ministri i shtetit Hungarez për Politikat e Transportit Robert Homolya tha fillimi i fluturimeve do ti japë zhvillim turizmit dhe ekonomisë mes 2 vendeve.

“Unë mendoj se është një moment i madh në jetën e dy vendeve. Ne duam të zhvillojmë turizmin dhe tregtinë mes 2 vendeve, dhe jam i sigurt se ky është një hap i madh. Qeveria e Hungarisë, ka bërë 1 vit negociata me Bashkimin Europian, për të bërë të mundur që buxheti i shtetit të kontribuojë për këtë linjë, në Shqipëri dhe rajon. Kështu që le ta gëzojmë”.

Më herët në Budapest u zhvillua dhe ceremonia me të pranishëm Ministra dhe zyrtarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ku kompania wizzair ka filluar operimin.