Miratohet Ligji nr.32/2021, datë 16.03.2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili siç përshkruhet në Relacionin që shoqëroi projektaktin në Kuvendin e Shqipërisë sjellë dy risi që nuk ekzistonin më parë. Për më shumë lexoni këtu më poshtë dhe ligjin në lidhjen https://qbz.gov.al/eli/ligj/2021/03/16/32

Produktet e reja te sigurimit te detyrueshem

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit në krahasim me kuadrin ligjor të mëparëshëm i cili parashikonte vetëm një produkt të sigurimit të detyrueshëm, atë të përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar palës së tretë që rezulton nga përdorimi i mjeteve motorrike, zgjeron gamën e produkteve të sigurimit të detyrueshëm me:

1.sigurimin e pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik i trajtuar në kapitullin II të ligjit.

Këtu përfshihet sigurimi i detyrueshëm për aksidentet që u shkaktohen pasagjerëve të cilët udhëtojnë në linjat e transportit publik: autobuzëve urban, interurban dhe ndërkombëtar, të transportit të punëtorëve, taksive, mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore qoftë për qëllim transporti apo turistik, avionëve, si dhe mjeteve të transportit mbi shina dhe teleferikë, etj. Sigurimi i një përgjegjësie civile të tillë është tashmë një standart i vendosur në disa vende të BE-së i cili nxitet nga fakti i rritjes së rasteve të aksidenteve të pasagjerëve të cilët udhëtojnë në këto mjete transporti të pambuluara nga kontratat e MTPL-së. Sipas kësaj kontrate sigurimi pasagjerët përfitojnë edhe në rastet e aksidenteve dhe dëmtimeve nga shkaqe natyrore por jo vetëm, të cilat ndodhin pa përgjegjësinë e drejtuesit apo pronarit të mjetit të transportit. Sigurimi i pasagjerëve nga aksidentet është një kontratë e veçantë e ndyshme nga kontrata e sigurimit të përgjegjësisë ndaj palëve të treta që rezulton nga përdorimi i mjetit të transportit të trajtuara këto të fundit në kapitujt III, VII dhe VIII të këtij ligji.

2. sigurimin e përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar palës së tretë nga përdorimi i mjeteve të transportit ajror dhe mjeteve lundruese.

Krahas përafrimit me direktivat dhe standartet, përfshirja e këtij produkti është në koherencë me një nisëm tjetër ligjore “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, në të cilën është përfshirë detyrimi për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta që rezulton nga përdorimi i avionëve.