Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka njoftuar ditën e hënë datë 30 korrik 2021, hapjen zyrtarisht të garës për ndërtimin e aeroportin ndërkombëtar të Sarandës, i cili do të jetë sezonal.

Ministrja Balluku bëri me dije se ky projekt do të jetë një investim plotësisht privat, ndërsa shteti do të marrë përsipër vetëm shpronësimin e pronarëve.

“Prej kohësh Kryeministri Rama ka lançuar strategjinë për zhvillimin  e Aviacionit Civil duke njoftuar se si ky zhvillim do të vinte dhe hapat që do të hidhnim. Pas kontratës së re të firmosur nga qeveria shqiptare dhe koncensionari i aeroportit të Tiranës dhe një liste të gjatë kërkesash, pas hapjes së aeroportit të Kukësit që ka arritur normalitetin duke kryer fluturime përditë, të cilat i konstatojmë me kënaqësi se ka shumë interes nga shqiptarët dhe turistët e huaj, sidomos në ato zona ku fluturohet.

Pas firmosjes së kontratës të koncesionit për aeroportin e Vlorës tani është hedhja e një hapi të ri për lançimin e garës për aeroportin e Sarandës. Ministria e Financës ka marrë përsipër kostot për procedurën e koncensionit. Është një procedurë e lehtë pasi shteti nuk ka përfshirje direkte. Shteti nuk ofron një garanci financiare, qoftë për kompensimin e numrit të pasagjerëve apo forma të tjera. Do të jetë investim privat i kuotuar në shifrën 37 milionë”- tha Balluku.

Ndër të tjera, ministrja tha se gara për aeroportin e Sarandës do të jetë e hapur në faqen e ministrisë nga data 2 gusht (sot) deri më 23 shtator 2021.

Ky aeroport do të jetë i hapur 7-8 muaj në vit, dhe do bëjë të mundur që të ketë fluturime nga Veriu në Jug, pra nga aeroporti i Kukësit drejt Sarandës. Aeroporti do ndërtohet në zonën e Vrionit, në hyrje të Sarandës, përgjatë aksit Gjirokastër-Sarandë.