Autoriteti Aviacionit Civil përgënjeshtron lajmet e publikuara nga një media, sipas të cilave fluturimet me Italinë nuk janë pezulluar.

Sipas Urdhrit të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të datës 09 Mars 2020, u ndaluan fluturimet për/nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe 12 aeroporteve në provincat veriore të Italisë. Në datë 10 Mars 2020, Urdhëri i ri i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ndaloi të gjithë fluturimet për/nga Shqipëria dhe Italisë.

Në deklaratën e saj të datës 10 Mars, Ministrja foli për mundësinë e autoriteteve Italiane për të riatdhesuar qytetarët e saj nëpërmjet “fluturimeve të Alitalias apo kompanive të tjera të cilat do duhet të kryejnë bosh fluturimin Itali-Shqipëri dhe vetëm me qëllimin që të marrin pasagjerë nga Aeroporti i Tiranës në drejtim të Aeroportit të Romës”.

Sipas këtij rregulli, nën drejtimin e Ambasadës Italiane në Tiranë, janë kryer 4 fluturime nga Tirana në drejtim të Italisë si më poshtë:

• Fluturimi 1, TIA-FCO, datë 11 Mars 2020, ora 19:00, me 178 pasagjerë në bord, kryer nga kompania Blue Panorama me avionin EI-CSI parkuar në Rinas i cili nuk u kthye më në TIA
• Fluturimi 2, TIA-FCO, datë 12 Mars 2020, ora 23:00, me 165 pasagjerë në bord, kryer nga kompania Albawings me avionin ZA-AWB parkuar në Rinas dhe kthyer bosh nga Roma për Tiranë menjëherë pasi ka lënë shtetasit italianë atje
• Fluturimi 3, TIA-FCO, datë 16 Mars 2020, ora 10:00, me 167 pasagjerë në bord, kryer nga kompania Albawings me avionin ZA-AWB parkuar në Rinas dhe kthyer bosh nga Roma për Tiranë menjëherë pasi ka lënë shtetasit italianë atje
• Fluturimi 4, TIA-FCO, datë 18 Mars 2020, ora 10:00, me 170 pasagjerë në bord, kryer nga kompania Albawings me avionin ZA-AWB parkuar në Rinas dhe kthyer bosh nga Roma për Tiranë menjëherë pasi ka lënë shtetasit italianë atje

Asnjë pasagjer nuk është transportuar nga Italia drejt Shqipërisë, sikundër thuhet në lajmin e pavërtetë të raportuar, por janë realizuar vetëm 4 fluturime riatdhesimi pas kërkesës dhe nën menaxhimin e Ambasadës Italiane në Tiranë.

Modalitetet e këtyre fluturimeve janë të njohura dhe po zbatohen nga shtete të ndryshme në Evropë dhe më tej, me qëllim riatdhesimin e qytetarëve të shteteve të ndryshme në vendin e tyre të rezidencës, në kushtet e karantinës në kuadër të COVID-19.

Autoriteti Aviacionit Civil u bën thirrje të gjithë mediave, se kemi qenë dhe jemi gjithnjë të hapur për dhënien e informacionit zyrtar të saktë brenda kornizave të ligjit për të drejtën e informimit.

Në kushtet ku ndodhemi, kërkojmë mirëkuptimin e medias se raportimi dhe përhapja e informacioneve të rreme përbëjnë potencial për ngjallje paniku dhe duhet të ndalohen rreptësisht, në të kundërt Autoriteti Aviacionit Civil do të jetë i detyruar t’i drejtohet organeve kompetente ligjzbatuese.