Në vijim njoftimit të mëparshëm për ndalimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe 12 aeroporteve në veri të Italisë, për shkak të situatës së krijuar në Itali nga përhapja e COVID-19, masave të marra nga qeveria italiane për vendosjen e karantinës në gjithë provincat e shtetit fqinj, si dhe masave parandaluese të përhapjes së virusit në vendin tonë, duke filluar nga ora 12:00 e ditës së sotme 10 Mars 2020 ndalohen të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe të gjithë aeroporteve italiane, deri në një njoftim të dytë.

 

Autoriteti i Aviacionit Civil i bën thirrje të gjithë pasagjerëve që kanë prerë bileta udhëtimi me kompanitë ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” drejt Italisë dhe anasjelltas mos të shkojnë në aeroport dhe të zbatojnë udhëzimet e lëshuara nga autoritetet shëndetësore me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre dhe personave të afërt.

Në lidhje me trajtimin e pasagjerëve të prekur, kompanitë ajrore që operojnë në tregun Shqiptar-Italian, vendase apo të huaja, kërkohet t’i referohen rasteve të ngjashme të veprimit të kompanive ajrore Evropiane në këto momente duke u ofruar pasagjerëve që kanë blerë një biletë për/nga Italia shtyrje të datës së biletës pa kosto shtesë.