Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil Krislen Keri, ka marrë pjesë në takimin e 36-të të ECAC, që zhvillohet 1 herë në 3 vjet. Në mbledhjen ku morën pjesë drejtorët e Autoriteteve të Aviacionit Civil pjesë e ECAC, Presidentja e ICAOs Fang Liu, Drejtori Ekzekutiv i EASA Patrick Ky dhe menaxheri i IATA-s Alexandre de Juniac, u diskutua për sfidat e aviacionit që lidhen me rritjen e kërkesës për menaxhim më të mirë të trafikut, siguria, përmirësimi i kapaciteteve njerëzore e teknike, emetimi i gazrave dhe siguria kibernetike.

Drejtori i AAC-së Krislen Keri, gjatë kësaj mbledhje u takua me homologun e tij Italian Alessio Quaranta, me të cilin diskutoj për problemet që po shkaktojnë kompanitë italiane me të drejtat e pasagjerëve, me vonesa apo anulime tej normave europiane. Keri, tha se pala shqiptare kërkon masa nga pala italiane, që këto kompani të penalizohen sipas rregulloreve europiane nga Autoritetet Italiane, që janë edhe licensuesit e tyre. Gjithashtu ai nënvizoi se për këto problematika ka venë në dijeni edhe Komisionin Europian.

Gjatë punimeve Keri u takua edhe me Drejtorin e Aviacionit Civil turk, z.Bahri Kesici, me të cilin u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në aspekte që lidhen me ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbim të eksperiencave të suksesshme të palës turke, si dhe funksione të tjera që lidhen me kompanitë ajrore.

Z. Keri gjithashtu zhvilloj takime me sekretarin ekzekutiv të ECAC Salvatore Sciacchitano, të cilin e njohu me zhvillimet më të fundit në Aviacionin Civil shqiptar, nga i cili mori mbështetjen për reformat e ndërmarra.
Një tjetër takim me rëndësi ishte ai me Drejtorin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Izraelit, z. Joel Feldschuh, me të cilin u diskutuan eksperjencat koncensionare të aeroporteve të të dy vendeve, ku Izraeli është në proces për dhënien me konçension të dy aeroporteve në vend. Ata ranë dakord për vendosjen e kanaleve të bashkëpunimit për të përfituar nga praktikat më të mira në këtë fushë.

Në takim u ngrit edhe shqetësimi i rritjes së vonesave të fluturimeve në gjithë kontinentin Europian, ku vetëm për vitin 2018 pritet që vonesat të shkojnë 14.3 milion minuta ose 27 vjet! Kjo për shkak të kapaciteteve përpunuese të kompanive, aeroporteve apo sistemeve navigacionale në Evropë.

Në mënyrë që të përballohen sa më mirë këto sfida palët u angazhuan të punojnë më shumë në 3 shtylla kryesore, që lidhen me përmirësimin e sigurisë, rritja e kapaciteteve teknike, por edhe përmirësimi i shërbimeve në tokë.