Patrick Ky, Drejtori i Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Operim në Aviacion (EASA), ka zhvilluar një vizitë 2 ditore në Tiranë me ftesë të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar. Gjatë qëndrimit në Tiranë, zoti Ky zhvilloi një vizitë informuese në ambientet e AAC, ku u diskutua në detaje për reformat e ndërmarra së fundmi në aviacion. Drejtori i AAC Krislen Keri, e njohu zotin Ky me reformat e ndërmarra në 1 vit, që kanë dhënë edhe rezultate pozitive, çfarë u pasqyrua edhe në raportin e auditit të zhvilluar nga EASA, ku rezultuan vetëm 4 gjetje. Keri, tha se pavarësisht vështirësive, vizioni i tij është për krijimin e një institucioni model, bazuar në praktikat më të suksesshme europiane dhe padyshim duke u mbështetur në modelin e EASAs apo të Eurocontrol. Keri u ndal edhe te aspekti i rëndësishëm i ngritjes së kapaciteteve njerëzore, duke shpjeguar nismën e ndërmarrë për trajnime që zhvillohen në Autoritetin e Aviacionit Civil, me pjesëmarrjen e një numri të madh inspektorësh dhe ekspertëve më të mirë botërorë. Këto trajnime janë bërë në bashkëpunim me JAA TO dhe me ICAO, 2 institucione lider në aviacion. Zoti Ky vlerësoi ecurinë pozitive që ka pasur Autoriteti si pasojë e reformave të fundit, që janë bazuar edhe në modelin e suksesshëm organizativ të EASA. Mes të tjerave ai u njoh edhe me hapat e ndërmarra në drejtim të forcimit të aftësive mbikëqyrëse në sigurinë në operim dhe sigurinë e aviacionit, por edhe në rritjen e kapaciteteve teknike dhe bashkëpunimit me partnerët Evropian dhe të Organizatave ndërkombëtare të Aviacionit Civil. Gjithashtu zoti Ky, bëri edhe rekomandimet përkatëse për sektorët specifikë që Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të përmirësojë në të ardhmen. Kjo është vizita e parë e që kreu i agjencisë më të rëndësishme të Bashkimit Europian për aviacionin, zhvillon në vendin tonë dhe në rajon.