SI TË BËJMË NJË ANKESË PËR KOMPENSIM NGA KOMPANIA AJRORE
Kujt duhet t’ia drejtoj ankesën në rast të një problematike të hasur?
Nëse mendoni se keni të drejtë të kërkoni kompensim apo rimbursim për biletën tuaj të udhëtimit, kompania ajore me të cilën keni prerë biletën është e para që duhet të kontaktoni, duke paraqitur pranë saj ankesën, sepse kompensimi nuk është proces automatik.
Kompanitë ajrore kanë të ngritur një procedurë ankimimi që ju nevojitet ta ndiqni në mënyrë që ata ta marrin në konsideratë ankesën tuaj. Kryerja e ankesës sipas procedurës së përcaktuar nga kompania ajrore, bën të mundur marrjen e të gjithë informacionit që i nevojitet për ju, me qëllim trajtimin e kërkesës suaj. Është nevojshme që ju t’i vini në dispozicion kompanisë të gjithë dokumentacionin që ka të listuar në kanalet informuese të saj ose që ju kërkon.
Kini parasysh se jo të gjitha kompanitë ajrore marrin në konsideratë ankesën tuaj nëse ju zgjidhni që ta delegoni nëpërmjet palëve të treta, siç janë “Kompanitë Private për Zgjidhjen e Ankesave ndërmjet Pasagjerëve dhe Operatorëve Ajrorë”. Kompanitë Ajrore shpeshherë kanë një klauzolë që deklarojnë se kur i parashtrohet një ankesë, pasagjerët duhet ta kryejnë atë drejtpërdrejtë tek kompania ajrore.
Çfarë duhet të bëni nëse kërkesa juaj për kompensim refuzohet?
Nëse ju është refuzuar kërkesa për kompensim ose rimbursim nga një kompani ajrore, duhet të jeni të qartë për arsyen e këtij refuzimi. Kur ju keni kërkuar kompensim, kompanitë ajrore mund t’i referohen si shkak të vonesës ose anulimit një “rrethane të jashtëzakonshme”, kategori e cila, sipas ligjit, e përjashton kompensimin.
Në katë rast, ju mund ti drejtoheni Sektorit të të Drejtave të Pasagjerëve pranë AAC në adresën e e-mailit pax@acaa.gov.al duke i kërkuar asistencë me informacion për verifikimin e përgjigjes së ofruar nga Kompania Ajrore lidhur me pretendimin e tyre për ekzistencën e një “rrethane të jashtëzakonshme”
Si mund ta përshkallëzoj më tej ankesën timen?
Nëse ju nuk jeni dakord me vlerësimin e ankesës nga Kompania ajrore, lidhur me kërkesën tuaj për kompensim, apo mendoni se ju është refuzuar gabimisht, ju mund ta përshkallëzoni ankesën tuaj për shqyrtim, në një rrugë ligjore, duke ngritur padi në Gjykatë Civile kundrejt kompanisë ajrore. Mbani në vemendje që, me përcjelljen e çështjes në gjykatë, ju jeni personi përgjegjës për të ndjekur zgjidhjen e problematikës së krijuar me lidhjen e kontratës (biletës) që keni kryer me transportuesin ajror.