PYETJET DHE PËRGJIGJET NUK JANË SHTERUESE JEMI NË DISPOZICIONIN TUAJ PËR ÇDO NEVOJË QË MUND TË KENI KUR UDHËTONI ME TRANSPORTIN AJROR

 

  1. Cilat janë të drejtat e mia nëse fluturimi vonohet?

Kur fluturimi juaj vonohet përtej kohës së planifikuar të nisjes, ju keni të drejtë për asistencë me ushqim dhe pije freskuese, si dhe dy telefonata apo email falas, në varësi të kohës tuaj të pritjes në aeroport. Këto të drejta janë në varësi të kohëzgjatjes së vonesës dhe distancës së fluturimit tuaj, si më poshtë:

  • dy orë ose më shumë në rastin e fluturimeve prej 1500 km ose më pak;
  • për tre orë ose më shumë në rastin e fluturimeve brenda vendeve të BE-se prej më shumë se 1,500 km dhe të të gjitha fluturimeve të tjera ndërmjet 1,500 dhe 3,000 km;
  • për katër orë ose më shumë në rastin e fluturimeve që nuk përfshihen në dy pikat e mësipërme

Kur koha e pritshme e nisjes është të paktën një ditë nga planifikimi i nisjes fillestare, pasagjerët kanë të drejtë t’u sigurohet akomodimi në hotel dhe transporti ndërmjet aeroportit dhe hotelit.

Referuar Regullores së KE-së Nr.261/2004, ju keni gjithashtu të drejtë për kompensim financiar në rast vonese, nëse fluturimi juaj tejkalon kohën e nisjes fillestare me tre orë.

Në rast se transportuesi ajror, do të provojë se vonesa është shkaktuar nga “rrethana të jashtëzakonshme”, të cilat nuk mund të shmangeshin edhe nëse do të ishin marrë të gjitha masat e arsyeshme nga transportuesi ajror, atëherë kompensimi juaj nuk do të paguhet.

  1. Cilat janë të drejtat nëse fluturimi im anulohet?

Rregullorja e BE-së Nr.261/2004, përcakton ndihmën që ofrohet për pasagjerët kur një fluturim i tyre anullohet. Në rastin e anulimit të fluturimit nga kompania ajrore, pasagjerët kanë të drejtën e zgjedhjes midis rimbursimit të kostos së plotë të biletave ose ri-fluturimit. Rimbursimi mund të bëhet me para (cash) ose me voucher. Rimbursimi me voucher, mund të bëhet vetëm nëse pasagjeri ose udhëtari bie dakord për të.

Përveç rimbursimit, pasagjerët kanë të drejtë për asistencë me ushqim dhe pije freskuese në varësi të kohës së tyre të pritjes në aeroport, si dhe dy telefonata apo email falas. Nëse ri-fluturimi i tyre, është një ditë pas fluturimit të planifikuar, pasagjerët kanë gjithashtu të drejtën e akomodimit në hotel për një ose më shumë netë. Transporti duhet të sigurohet ndërmjet hotelit dhe aeroportit.

Pasagjerët, në rastin e një anullimi kanë gjithashtu të drejtë për kompensim financiar. Vlerat ndryshojnë sipas distancës së fluturimeve.

  1. Cila është asistenca që duhet të më ofrohet në rast refuzimi të hipjes në bord, kundër dëshirës sime?

Pasagjerët të cilëve iu refuzohet hipja në bord kundër dëshirës së tyre, duhet t’i ofrohet rimbursimi i plotë i kostos së biletave të tyre, për pjesët e udhëtimit të pa kryer dhe për pjesët e bëra tashmë, nëse fluturimi nuk shërben më për ndonjë qëllim në lidhje me planin origjinal të udhëtimit të pasagjerit.

Përveç rimbursimit, pasagjerët kanë të drejtë për asistencë me ushqim dhe pije freskuese në varësi të kohës së tyre të pritjes në aeroport, si dhe dy telefonata apo email falas. Nëse ri-fluturimi i tyre, është një ditë pas fluturimit fillestar të planifikuar, pasagjerët kanë gjithashtu të drejtën e akomodimit në hotel për një ose më shumë netë. Transporti duhet të sigurohet ndërmjet hotelit dhe aeroportit.

Pasagjerët kanë të drejtë edhe për kompensim monetar. Vlerat ndryshojnë sipas distancës së fluturimeve.

  1. Kujt duhet t’ia drejtoj ankesën për problematikën e hasur në lidhje me fluturimin?

Nëse ju ndodh që fluturimi juaj të anullohet, t’ju vonohet avioni, t’ju jetë dëmtuar apo humbur bagazhi, të uleni në kategori duke kaluar nga niveli biznes, në ekonomik apo të mos ketë vend të rezervuar për ju në avion dhe pse keni paguar biletën tuaj kompanisë ajrore, Ju duhet ta drejtoni fillimisht ankesën tek kompania ajrore me të cilin keni fluturimin, duke i përcjellë:

  • Kopje të biletës;
  • Kodin e rezervimit të biletës;
  • Kontaktet tuaja;
  • Formularin e ankesës

Nëse kompania ajrore, nuk ju përgjigjet brenda 6 javëve nga data që ju keni kryer ankesën, apo merrni një përgjigje që mendoni se nuk është e drejtë, atëherë kontaktoni Zyrën e të Drejtave të Pasagjerëve pranë Autoritetit të Aviacionit Civilnë në adresën: pax@acaa.gov.al Stafi ynë do të ndjekë ankesën tuaj me shumë seriozitet dhe do t’ju asistojë me informacionin e nevojshëm për zgjedhjen e problematikës tuaj.

  1. A është kompania ajrore e detyruar të më paguajë kompensim, kur anulimi ka ndodhur për arsye të “rrethanave të jashtëzakonshme”?

Transportuesi ajror nuk është i detyruar të paguajë kompensim, nëse mund të provojë se anullimi është shkaktuar nga “rrethana të jashtëzakonshme”, të cilat nuk do të mund të shmangeshin, edhe nëse do të ishin marrë të gjitha masat e arsyeshme nga transportuesi ajror.

Referuar Rregullores së KE-së Nr.261/2004, me termin “Rrethana të jashtëzakonshme”, nënkuptohen situata të paqëndrueshmërisë politike; situatat të motit të keq; rreziqe që lidhen me sigurisë; mangësi të papritura që lidhen me sigurinë e fluturimit si dhe grevat që ndikojnë në operimin e një fluturimi nga transportuesi ajror.

  1. A është e detyruar një Kompania Ajrore, të më informojë për të drejtat e mia sipas Rregullores së KE-së Nr.261/2004?

Përgjigjia është Po! Rregullorja e KE-së Nr.261/2004, thekson qartë se në vendet e check-in të aeroportit, duhet të ketë të ekspozuar qartë një njoftim që këshillon pasagjerët që nëse atyre u refuzohet hipja në bord, ose nëse fluturimet e tyre anullohen ose vonohen për të paktën dy orë ose më shumë, ata duhet të kërkojnë që në vendet e check-in ose në zonën e nisjes së pasagjerëve, një tekst ku shkruhen të drejtat e tyre veçanërisht në lidhje me kompensimin dhe asistencën që duhet t’u ofrohet pasagjerëve.

  1. Po une si pasagjer, a kam detyrime për të përmbushur, në mënyrë që të jem subjekt i dispozitave të përcaktuara në Rregulloren e KE-së?

Përgjigjia është Po! Për të qenë subjekt i Rregullores së KE-së Nr.261/2004 dhe për të përfituar nga dispozitat e saj, pasagjerët duhet të kenë një rezervim të konfirmuar për fluturimin me të cilin kanë hasur një problematikë. Përveç rasteve, kur ju jeni njoftuar paraprakisht për anulimin, duhet që ju të paraqiteni për kryerjen e check-in, jo më vonë se 45 minuta përpara orës së publikuar të nisjes.

  1. Kam rezervuar një biletë fluturimi si pjesë e një pakete turistike, fluturimi im është anulluar/vonuar, apo më është refuzuar hipja në bord, si duhet të procedoj?

Nëse keni rezervuar biletat e udhëtimit direkt nga kompania ajrore, ju duhet fillimisht të kryeni ankesën tek kjo kompani. Nëse fluturimi juaj është vonuar / anulluar, ose ju është refuzuar hipja në bord, si pjesë e një pakete turistike, duhet të ankoheni në agjencinë e udhëtimit e cila ka rezervuar biletat për ju. Nëse kryeni një ankesë zyrtare në lidhje me një fluturim të anuluar /vonuar, ose një refuzim të hipjes në bord, kundrejt organizatorit tuaj të udhëtimit, atëherë nuk mund t’ja drejtoni të njëjtën ankesë dhe transportuesit ajror.

  1. Cilat janë të drejtat e mia në rast se fluturimi im devijohet në një aeroport tjetër?

Rregullorja e KE-së Nr.261/2004, parashikon që kur një fluturim devijohet në një aeroport alternativ nga ai për të cilin është bërë rezervimi, por që është në të njëjtin qytet ose rajon, transportuesi ajror duhet të përballojë koston e transferimit të pasagjerit nga ai aeroport alternativ i mbërritjes për në aeroportin për të cilin është bërë rezervimi, ose në një destinacion tjetër afër, të rënë dakord me pasagjerin.

  1. A ka ndonjë parashikim të veçantë për pasagjerët me aftësi të kufizuar ose nevoja të veçanta (PRM), që udhëtojnë nga ajri?

Përgjigjia është Po! Rregullorja e KE-së Nr.261/2004 dhe Rregullores nr 1107/2006 për PRM, parashikon që transportuesit ajrorë duhet t’i japin përparësi transportimit të personave me aftësi të kufizuar apo atyre që udhëtojnë nën shoqërinë e qenve të kujdesit, si dhe fëmijëve të pashoqëruar. Kur ndodh që këta persona, janë subjekt i vonesave / anulimeve ose refuzimit të hipjes në bord, ata duhet të kenë të drejtën për asistencë sa më shpejt të jetë e mundur.

Njoftimi juaj për asistencë të veçantë, në drejtim të kompanisë ajrore që do të fluturoni, agjentit të udhëtimit apo operatorin turistik, duhet të bëhet të paktën 48 orë përpara nisjes së fluturimit.

Organi menaxhues i aeroportit, do të informohet në përputhje me rrethanat dhe do të jetë përgjegjës për ofrimin e asistencës tuaj nga momenti i mbërritjes tuaj në aeroport, deri në derën e avionit dhe uljen në vendin tuaj. Më pas, përgjatë fluturimit, asistenca kundrejt jush, është përgjegjësi e kompanisë ajrore me të cilin do të fluturoni.  Asistenca e ofruar për sa më sipër, do të jetë pa pagesë shtesë.

  1. Nëse bagazhi im humbet, dëmtohet ose vonohet, cilat janë të drejtat e mia?

Përgjegjësia maksimale e një kompanie ajrore në rast humbje, vonese apo dëmtimit të bagazhit, është e kufizuar në 1,000 SDR ose rreth 1,241 euro për pasagjer. (kursi është I ndryshueshëm).

Nëse bagazhi i pasagjerëve dëmtohet, vonohet, apo humbet, pasagjeri duhet të plotësojë një ankesë tek transportuesi ajror sa më shpejt të jetë e mundur. Në rast të dëmtimit të bagazhit pasi është kryer check-in, pasagjeri duhet të plotësojë ankesën brenda 7 ditëve, dhe në rast vonese brenda 21 ditëve. Në rast të vonesës së bagazhit, transportuesi ajror është përgjegjës për dëmtimin, përveç nëse ka marrë të gjitha masat e arsyeshme për të shmangur dëmtimin ose ka qenë e pamundur të merren masa të tilla.

  1. Cilat janë rregullat në lidhje me transportin e lëngjeve në kabinën e pasagjerëve, përgjatë fluturimeve?

Sipas rregullave aktuale, ju mund të mbani si bagazh dore lëngje individuale, me një kapacitet jo më të madh se 100 ml dhe të futur në një qese plastike transparente të rimbyllshme me një kapacitet jo më të madh se një litër. Lëngjet përfshijnë xhel, aerosolë, pastë dhëmbësh, locione, përzierje të lëngshme / të ngurta dhe artikuj të tjerë me përmbajtje të ngjashme, si pije, supa, shurupe, parfume, shkumë rroje, etj.

Medikamentet, apo ushqimi dhe qumështi për fëmijë, lejohen në sasi më të mëdha se 100 ml, por vetëm për përdorim gjatë udhëtimit dhe mund t’ju kërkohet të provoni vërtetësinë e tyre.