Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil KrislenKeri, priti në një takim z. GuidoPatane, presidentin e kompanisë ajrore italiane “Blue Panorama”, e cila zotëron rreth 20% të tregut të transportit ajror me destinacion Italinë. Drejtori komercial i kompanisë e prezantoi zotin Keri me planet e zgjerimit të kompanisë, që prej blerjes nga “UVET Group”, një kompani e specializuar në sektorin e turizmit. Nga ana e tij Presidenti Patane, informoi zotin Keri se kompania është duke vlerësuar mundësinë për të investuar në sektorin e turizmit në Shqipëri. Drejtori i AAC Keri duke u ndalur te performanca e kësaj kompanie dhe partnerit shqiptar “Albawings”, kërkoi që të shikohet mundësia për shtimin e destinacioneve të reja jo vetëm drejt Italisë, por edhe në destinacione të tjera evropiane. Një aspekt i rëndësishëm ku z. Keri vuri theksin ishin të drejtat e pasagjerit ku toleranca do të jetë zero, me çdo lloj problematike dhe shkelje. Ai gjithashtu i kërkoi kompanisë që të marrë masat e duhura për të mos krijuar probleme për pasagjerët gjatë sezonit të pikut. Përfaqësuesit e informuan drejtorin e AAC, se kompania do të sjellë një avion rezervë për çdo lloj eventualiteti në Rinas, për të ofruar shërbim cilësor dhe pa vonesa ndaj pasagjerëve.