HISTORIA E AEROPORTIT NDËRKOMBËTAR “NËNË TEREZA”

 

Ish Aeroporti i Rinasit, sot Aeroporti i Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është ndërtuar gjatë periudhës kohore 1955 ‐1957. Aeroflot, Jat, Malev, Tarom dhe Interflug, ishin kompanitë ajrore që operonin në Shqipëri deri në vitin 1960. Trafiku arrinte deri në dy fluturime në ditë.

Mbas vitit 1960 deri në vitin 1978, shoqëri të shumta ajrore ndërprenë operimet e tyre në Shqipëri, për shkak të izolimit politik të vendit mbas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, i cili solli si rezultat një ulje të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve.

Gjatë periudhës 1965‐1974 u kryen dhe u zbatuan disa përmirësime të shërbimeve në aeroport.
Gjatë viteve 1980 dhe 1990, si rezultat i zhvillimit të përgjithshëm teknologjik në fushën e aviacionit civil në të gjithë botën, edhe Shqipëria ndërmori një sërë përmirësimesh të shërbimeve të aeroportit në mënyrë që të përshtateshin me standardet e kërkuara ndërkombëtare.

Si rezultat i ndryshimeve politike në Europën Lindore, u rritën në mënyrë të konsiderueshme kontaktet e zyrtarëve qeveritarë me vendet perëndimore.

Si rrjedhojë e ndryshimeve politike dhe sociale në Shqipëri gjatë viteve 1992 ‐ 2000, u rrit numri i fluturimeve dhe kompanive ajrore që operonin në Shqipëri. Duke u ballafaquar me nevojat për zhvillim të mëtejshëm të Tirana International Airport “Nënë Tereza”, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë vendosi të shpallë për investitorët ndërkombëtarë ndërtimin e një terminali të ri dhe shërbimeve të tjera, si dhe operimin e aeroportit, nëpërmjet koncesionit për një periudhë 20 vjeçare.

Procedurat konkurruese u mbyllën në fund të vitit 2003 dhe në datën 23 Prill 2005 Tirana International Airport (TIA, konsorciumi i përbërë nga HOCHTIEF AirPort GmbH, Deutsche Investitions‐ und Entëicklungsgesellschaft bmH (DEG) dhe Fondi Shqiptaro‐Amerikan i Ndërmarrjeve (FSHAN)) filloi operimet tek Tirana International Airport “Nënë Tereza”. Qeveria e Shqipërisë nënshkroi Marrëveshjen e Koncesionit BOOT (ndërtim, zotërim, operim, transferim) deri më 2027, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë, me ligjin Nr. 9312, datë 11.11.2004

Më datë 1 Prill 2016, Qeveria e Shqipërisë dhe TIA Shpk. nënshkruan një amendament të Marrëveshjes së Koncesionit të TIA-s duke ndërmarrë një hap të konsiderueshëm drejt zhvillimit të transportit ajror dhe liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri. Afati i Koncesionit i TIA-s u zgjat menjëherë për dy vite të tjera përkatësisht deri në Prill 2027 duke lejuar hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare (Ligji nr. 55/2016 datë 19.5.2016)

China Everbright Limited, një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, nëpërmjet kompanisë Real Fortress Private Limited ka marrë përmes shitjes dhe transferimit të kuotave të ortakëve në kapitalin e “TIA” në favor të blerësit shoqerisë “ Real Fortress Private Limited” në zotërim 100% të kapitalit të TIA-s, më datë 6 Tetor 2016.

“KASTRATI GROUP” një kompani private lider me bazë në Shqiperi, e themeluar në vitin 1990, që prej datës 18 Dhjetor 2021, zotëron 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, bazuar në “Marrëveshjen e blerjes së aksioneve në lidhje me shitblerjen e Tirana International Airport Shpk, datë nënshkrimi 01.12.2020 ndërmjet Real Fortress Private Limited dhe Kastrati Group sha” (www.qkb.gov.al)

Aktualisht numri vjetor i pasagjerëve ka tejkaluar shifrën prej 3,5 milion.