Të drejtat e pasagjerëve për bagazhet

Qëllimi i këtij udhëzuesi është  t’ju njohë më të drejtat tuaja dhe detyrimet e kompanive  ajrore ndaj vonesës, dëmtimeve apo humbjes së bagazheve tuaja, të ndodhura gjatë qëndrimit  ose hipjes/zbritjes në avion, si për fluturime ndërkombëtare ashtu dhe për fluturime lokale.

 

Vonesa në mbërritjen e bagazhit

Në rast të vonesës së bagazhit kompania ajrore është përgjegjëse për dëmet, përveçse kur ka ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme për të evituar dëmin, ose nëse ishte e pamundur për të marrë të tilla masa.

Përgjegjësia e kompanisë ajrore për vonesën e bagazhit është deri në 1.000 SDR [1] (shumë e përafërt me 1100 Euro).

 

[1] “SDR” “E drejtë e posaçme e tërheqjes”, valutë suplementare  e përcaktuar dhe e mirëmbajtur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Konvertohet në monedhën e vendit ku do dëmshpërbleheni  referuar kursit ditor.

 

Dëmtimi, humbja  apo shkatërrim i bagazhit  

Kompania ajrore është përgjegjëse për dëmtimin, shkatërrimin ose humbjen e bagazhit tuaj. Përgjegjësia në vlerë për dëmtimin, shkatërrimin apo humbjen e bagazhit është  deri në 1.000 SDR[1] (shumë e përafërt me 1.100 Euro).

  • Në rastin kur bagazhi kontrollohet, kompania ajrore mban përgjegjësi për çdo dëmtim që mund të ndodh, përveçse rastit kur bagazhi ishte ndërkohë i dëmtuar.
  • Në rastin e bagazhit të pakontrolluar (bagazh dore), kompania ajrore është përgjegjëse vetëm nëse është me faj.
  • Nevoja për të shtuar  kufirin (peshën, përmasën) për bagazhin

Ju  mund të përfitoni një kufi(peshë, përmasë)më të lartë për bagazhin tuaj duke bërë një deklaratë menjëherë në check-in dhe duke paguar një tarifë shtesë.

 

Procedura që duhet të ndiqni për tu  ankimuar për vonesën, dëmtimet ose humbjen e bagazhit

  1. Në rast të humbjes/dëmtimit të bagazhit të regjistruar kur mbërrin në destinacion ju duhet të shkruanii një raport mbi humbjen, ose dëmtimin e bagazhit pranë Zyrës LOST & FOUND të Aeroportit të mbërritjes, duke plotësuar format e posaçme të quajtura përgjithësisht “Raporti i Dëmtimit të Bagazhit”( P.I.R ).
  2. Në rast të vonesës, dëmtimit, shkatërrimit apo humbjes të bagazhit tuaj, ju duhet t’i kërkoni me shkrim dhe t’i ankoheni kompanisë ajrore sa më shpejt të jetë e mundur.

-Në rastin e vonesës, ju duhet të ankoheni te kompania ajrore brenda 21 ditëve duke filluar nga data në të cilën bagazhi duhej të dorëzohej te ju.

– Në rastin e dëmtimit apo humbjes, ju duhet të ankoheni te kompania ajrore brenda 7 ditëve duke filluar nga data në të cilën bagazhi duhej t’i dorëzohej pasagjerit.

– Nëse kompania ajrore që kryen aktualisht fluturimin nuk është e njëjta me kompaninë ajrore të kontraktuar, ju keni të drejtën për t’i drejtuar ankesë ose të bëni kërkesë për dëmshpërblim kundër secilës kompani. Nëse emri ose kodi i një kompanie ajrore është vendosur në biletë, ajo kompani ajrore është kompania ajrore e kontraktuar.

– Nëse nuk jeni i kënaqur me përgjigjen e  dhënë, ose nëse nuk merrni përgjigje nga kompania ajrore, ankesa mund t’i drejtohet brenda 30 ditëve Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar (AAC) në adresën e e-mail: pax@acaa.gov.al

 

Kufiri kohor për të ngritur padi

– Nëse kompania ajrore nuk ka përmbushur detyrimet ligjore ndaj jush, ju keni të drejtë të ngrini padi në Gjykatë për të kërkuar dëmshpërblim. Afati maksimal për ngritjen e padisë është dy vite nga data e fluturimit tuaj.

 

Dokumentacioni i nevojshëm për ankimim

  • Bileta origjinale e udhëtimit ose kodi i prenotimit të udhëtimit në rast të blerjes së biletës nga interneti;
  • Origjinali i “Raportit të Dëmtimit të Bagazhit”(P.I.R) i lëshuar në Aeroport;
  • Origjinali i dokumentit të identifikimit të bagazhit dhe prova e pagimit ekstra për raste eventuale të mbipeshës së bagazhit;
  • Një listë e sendeve eventuale të munguara në rast të bagazhit të gjetur;
  • Origjinalet e kuponeve ose faturave financiare në të cilat të jetë i manifestuar lloji i materialit të blerë deri në dorëzimin e sendeve personale që përmban bagazhi;
  • Informacioni i plotë mbi llogarinë bankare : Emri dhe adresa e bankës, numri i llogarisë, kodi SWIFT në rast të një llogarie bankare të huaj,emri dhe mbiemri i titullarit të llogarisë bankare.Nëse tëdhënat mbi llogarinë bankare nuk janë të personit që ka filluar praktikën, duhet të specifikohet edhe adresa, numri i telefonit, numri i faksit (nëse ka) email-i (nëse ka)

 

Kompesimi në rast të plagosjes ose humbjes së jetës

Në rast të plagosjes apo humbjes së jetës gjatë udhëtimit kompania ajrore është përgjegjëse për dëmtime deri në 100.000 SDR (shumë e përafërt me 110.000 Euro).  Mbi këtë shumë, kompania ajrore mund të mbrojë veten ndaj një kërkese, duke provuar që nuk ishte neglizhent ose, në të kundërt, me faj.

Nëse një pasagjer është plagosur ose ka humbur jetën, kompania ajrore do të kryejë një pagesë paraprake, për të mbuluar nevojat e menjëhershme ekonomike, brenda 15 ditëve nga identifikimi i personit që ka të drejtën për kompensim. Në rast të humjes së jetës, kjo pagesë paraprake nuk do të jetë më pak se 16.000 SDR (shumë e përafërt me 19.000 Euro).