Mundësi për t’u bërë pjesë e industrisë së Aviacionit Civil.

Aviacioni Civil është një fushë dinamike dhe përfshin shumë aktorë ku ka mundësi angazhimi për shumë fusha, që mund të mos lidhen drejtpërsëdrejti me të. Një nga këto fusha është mjekësia, e cila në aviacion njihet si fusha Aeromjeksor.

AAC i bën thirrje gjithë të interesuarve që kanë përfunduar Universitetin e Mjekësisë dhe që janë pjesë e sistemit shëndetësor shqiptar, me eksperiencë mbi 2 vjet, që brenda dt. 31 Maj të aplikojnë për tu çertifikuar si mjek Aeromjeksor.

Bazuar në Urdhrin e Ministrit Nr. 250, datë 14.09.2014, “Për licencimin e ekuipazhit ajror”, për t’u çertifikuar si Mjek Aeromjeksor nga AAC, kandidatët duhet të kalojnë disa faza trajnimesh, që paraqiten të detajuara më poshtë.

Për depozitimin e aplikimit, si dhe për çdo informacion, mund të na kontaktoni në info@acaa.gov.al  ose +355 4 22 51 220 / 22 23 969

 

  • Kërkesat profesionale për Mjekun Aeromjeksor.

Mjeku aplikues për AME duhet:

  1. Të jetë i diplomuar në mjekësi.
  2. Të jetë i regjistruar në Urdhrin e mjekut për të praktikuar profesionin e mjekut
  3. Duhet të ketë marrё trajnime nё mjekësinë e aviacionit (të pranueshme pёr AAC).

 

  • Kushte të përgjithshme për kualifikimet

Ekzaminuesit mjekësor (AME-të)  do të kualifikohen dhe licencohen në praktikën mjekësore dhe do të marrin trajnime të pranuara nga Autoriteti në institucione të njohura ndërkombëtare, në mjekësinë e aviacionit.  Pranohen trajnime nga institucione ndërkombëtare në aviacion si JAATO, apo në shtete të tjera brenda Bashkimit Evropian.

 

  • Ka dy nivele trajnimi:
  • Trajnimi bazik në Mjekësinë e Aviacionit.
  • Trajnim i avancuar ne Mjekësinë e Aviacionit.

 

  1. Trajnim bazik në Mjekësinë e Aviacionit.

Trajnimi bazë për mjekët përgjegjës për certifikim mjekësor të Klasit II, të Ekuipazhit fluturues do të konsistojë në një minimum prej 60 orë leksione, duke përfshirë punë praktike (teknikat e ekzaminimit).

Trajnimi bazik në Mjekësinë e Aviacionit do të pranohet formalisht me letër nga Autoriteti Civil Shqiptar. Një test përfundimtar duhet tё kryhet nё përfundim tё trajnimit.

  1. Trajnim i avancuar në Mjekësinë e Aviacionit

Trajnimi i avancuar në mjekësinë e aviacionit për mjekët përgjegjës për çertifikimin Mjekësor të ekuipazhit të fluturimit për Klasë I, duhet të jetë minimalisht 120 orë leksione (60 orë shtesë për trajnimin bazë) dhe punë praktike, trajnim i bashkangjitur dhe vizitave në Qendrat Aeromjeksore, Klinika, Simulator, ATC, Aeroport.

 

Informacion Shtesë:

Trajnimi bazë në Mjekësinë e Aviacionit, me testin përkatës, është parakusht për të qenë Mjek Aeromjeksor.

Trajnimi i avancuar në Mjekësinë e Aviacionit, me testin përkatës, duhet të pranohet nga AAC.

Trajnimet dhe vizitat mund të jenë të shpërndara në një periudhë kohore 3 vjeçare.

 

Duke vlerësuar angazhimin e nevojshëm kohor dhe financiar që kërkohet për trajnimin bazë dhe të avancuar në Mjekësinë e Aviacionit, AAC mirëpret edhe shprehjet paraprake të interesit nga mjek të interesuar, të cilët AAC do t’i konsiderojë t’i pranojë me kusht plotësimin e trajnimeve të nevojshme.

Për më shumë, referojuni ekstraktit të Rregullores për kërkesat teknike dhe procedurat administrative në lidhje me ekuipazhin ajror të aviacionit civil, sipas parashikimeve të Udhëzimit të Ministrit Nr. 3, datë 7.2.2011 “Për rregullat e përbashkëta në fushën e aviacionit civil”

Gjithashtu, bashkëlidhur këtij njoftimi keni edhe “Format e Aplikimit për Certifikatë Fillestare për Ekzaminuesit Aeromjeksor të AAC”, i cili duhet të përdoret në momentin e aplikimit për certifikim, pas kryerjes së trajnimeve të nevojshme

 

Shkarkoni formularët më poshtë:

Forma e Aplikimit

Kriteret sipas U.M. 250